Policia ka arrestuar në Prrenjas Nevzat Spahon, personin që dyshohet se ka ekzekutuar biznesmenin Edmond (Mondi) Mëhalla, në ngjarjen e rëndë që tronditi qytetin e Elbasanit disa ditë më parë.

Spaho banonte prej vitesh në Prrenjas dhe, sipas burimeve hetimore, dyshohet se ka qenë ekzekutori i drejtpërdrejtë i Mëhallës. Ai rezulton person me precedentë penalë të theksuar.

Reklame

Më herët, Spaho është dënuar nga Gjykata e Elbasanit për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për marrje pasurie” dhe “Mbajtje pa leje të armëve”. Gjithashtu, ndaj tij rëndon edhe akuza për tentativë vrasjeje.

Në vitin 2022, hetimet zbuluan se Spaho kishte detyruar një qytetar, nën dhunë fizike dhe kërcënim me armë, që t’i dorëzonte shumën prej 3 mijë eurosh.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e vrasjes së biznesmenit dhe për të identifikuar çdo person tjetër të përfshirë në këtë krim të rëndë.

Reklame