Pas debateve dhe tensioneve të forta, Kuvendi miratoi pak pas mesnate Reformën e re Administrativo-Territoriale, e cila parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46. Projektligji mori 85 vota pro, duke hapur rrugën për një ndarje të re administrative, 11 vjet pas reformës së fundit.
Kryeministri Edi Rama mbërriti në Kuvend në orët e vona të natës, për të marrë pjesë në votimin e projektligjit. Votën pro e dha edhe deputeti socialist Erion Braçe, i cili gjatë diskutimeve kishte ngritur pikëpyetje për delegimin e kompetencave dhe të pushtetit real te njësitë e qeverisjes vendore.
Vetëm pak sekonda para votimit, në sallën e Kuvendit u shfaq edhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, prania e së cilës u shoqërua me përplasje të reja me opozitën.
Gjatë tensioneve në sallë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, hodhi ujë në drejtim të Ballukut. Ndërkohë, deputetë të tjerë hodhën shishe në drejtim të kryeministrit Rama, ndërsa pati edhe sulme me vezë.
Pavarësisht përplasjeve, votimi u zhvillua dhe reforma u miratua me 85 vota pro.
Pas përfundimit të seancës, Erion Braçe u pyet nga gazetarët për votën e tij pro reformës. Deputeti socialist deklaroi se do ta shpjegojë qëndrimin e tij gjatë ditës së premte.
Reforma e re parashikon kalimin nga 61 në 46 bashki, një ndryshim që ka nxitur kundërshtime nga opozita dhe debate mbi përfaqësimin e komuniteteve, funksionet e pushtetit vendor dhe mënyrën se si do të organizohet administrimi i territorit.
Lexo edhe
“Nuk kemi bërë gjë!”/ Braçe sfidon qeverinë për Territorialen, i mbyllin mikrofonin në Kuvend













