Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, mbërriti në Kryeministri, ku u prit nga kryeministri Edi Rama. Tirana është ndalesa e parë e turit të saj në katër vende të Ballkanit. Në fokus të bisedimeve është procesi i integrimit europian, ndërsa Von der Leyen tha se Shqipëria po punon fort për ta kthyer ëndrrën europiane në realitet.
Ndërsa në konferencën e përbashkët, Rama tha se procesi i negociatave ka hyrë tashmë në fazën e mbylljes së kapitujve dhe rikonfirmoi “vullnetin e hekurt” të qeverisë për të çuar përpara procesin e integrimit.
Përgatitemi për të nisur me mbylljen e kapitujve para fundit të vitit dhe pastaj për të vijuar vitin e ardhshëm me një pjesë të konsiderueshme të kapitujve”, tha Rama.
Pak metra më tutje, një grup qytetarësh u mblodhën në protestë. Policia e Shtetit vendosi një kordon sigurie te ura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të penguar kalimin e protestuesve drejt Kryeministrisë. Me thirrjet “polici e krimit” dhe “arrestoni Ramën”, protestuesit u përplasën me policinë.
Von der Leyen vjen në Tiranë edhe me një plan për një udhërrëfyes të posaçëm për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, që synon të ndihmojë këto vende në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Plani parashikon reforma prioritare, afate orientuese dhe objektiva për përfundimin e fazave të negociatave. Nga ana tjetër, edhe vendet anëtare të BE-së do të marrin angazhime për avancimin e procesit, ndërsa vendimet kyçe kërkojnë miratimin unanim të tyre.
Bashkimi Europian po shqyrton gjithashtu një model për integrimin gradual të vendeve kandidate. Dy momente të rëndësishme priten në tetor: më 6 tetor, kur pritet të paraqitet rishikimi i politikës së para-anëtarësimit, dhe më 15-16 tetor, kur liderët e Unionit do të diskutojnë zgjerimin dhe reformat e brendshme të BE-së.
Lexo edhe
Ekonomia është bërë për një pakicë, Tabaku: Rritja në letra nuk ndihet në xhepat e qytetarëve













