Kancelari gjerman Friedrich Merz ka reaguar pas tentativës për një sulm me dron në aeroportin e Leipzigut, incident që Berlini ia ka atribuar Rusisë.
Sipas Merz, ngjarja tregon se Gjermania po përballet me një përçarje të thellë dhe me një situatë të re sigurie.
Duke folur në një aktivitet pranë Hanoverit, Merz e lidhi incidentin me atë që Gjermania e konsideron si luftë hibride të Rusisë dhe i kërkoi Moskës të ndalojë këtë qasje.
Incidenti ndodhi më 4 gusht në aeroportin Leipzig/Halle.
Sipas autoriteteve gjermane, një dron që mbante eksplozivë synonte një avion transporti ukrainas.
Berlini ka arritur në përfundimin se pas tentativës qëndronin persona të lidhur me shërbimet ruse. Rusia i ka mohuar akuzat.
Për Merz, çështja nuk lidhet vetëm me një incident të izoluar.
Ai e sheh atë si pjesë të një serie veprimesh që kanë rritur shqetësimin në Gjermani dhe vende të tjera europiane për sulmet hibride, sabotazhin dhe ndërhyrjet e mundshme ruse.
Edhe Bashkimi Europian dhe NATO kanë reaguar pas incidentit. Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte kanë paralajmëruar për rritjen e veprimeve hibride ndaj vendeve europiane.
Pas akuzave të Berlinit, Gjermania ka marrë masa ndaj Rusisë, përfshirë mbylljen e konsullatës ruse në Bon dhe ndërprerjen e marrëveshjes me qendrën kulturore ruse në Berlin. Moska ka kundërshtuar akuzat dhe ka paralajmëruar masa në përgjigje.
Lexo edhe:
Gjermania kërkon zgjerimin e BE/ Kancelari Merz: Koha për të mbajtur premtimet europiane















