Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako, është paraqitur këtë të martë në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të çështjes së inceneratorëve. Ai u shfaq i shoqëruar nga avokati i tij, ndërsa procesi ndaj tij mbetet një nga më të rëndësishmit në dosjen e bujshme të inceneratorit të Elbasanit.
Në nëntor të vitit të kaluar, Apeli i GJKKO vendosi dënimin me burg për disa nga të pandehurit kryesorë, mes tyre ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputetin Alqi Bllako.
Sipas vendimit të Apelit, Lefter Koka u dënua me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi ulje të dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 6.8 vite. Ndërsa për Alqi Bllako u caktua dënimi me 2.8 vite burg, si dhe 5 vite heqje e së drejtës për të ushtruar funksione publike.
Bllako ishte shpallur më herët i pafajshëm nga GJKKO për inceneratorin e Elbasanit, por vendimi u rrëzua nga Apeli, i cili e shpalli fajtor.
Sipas akuzës, ish-deputeti dyshohet se ka përfituar rreth 14.6 milionë lekë përmes falsifikimit të dokumenteve, në funksion të një procesi shpronësimi për kthimin e një toke nga arë në truall, në bashkëpunim me Lefter Koka dhe Pëllumb Abeshi.
Çështja e inceneratorëve vijon të mbetet një nga aferat më të mëdha të hetuara nga drejtësia shqiptare, me disa procese që ende janë në zhvillim.














