Kryeministri Edi Rama ka ndryshuar fotografinë e profilit në Facebook, duke vendosur një imazh të një flamingove, në një moment kur në vend po vijojnë prej rreth 25 ditësh protestat lidhur me projektin e planifikuar në zonën e Zvërnecit.
Ky ndryshim në profil ka tërhequr vëmendje në rrjetet sociale, pasi ndodh në kulmin e debatit publik për investimin e madh që pritet të realizohet në këtë zonë.
Sipas protestuesve, zona e Zvërnecit është një territor i mbrojtur natyror, i njohur për biodiversitetin e saj dhe për praninë e shpendëve të rrallë, përfshirë flamingot, të cilët sipas tyre rrezikojnë të zhvendosen apo të zhduken nëse projekti zhvillohet në formën aktuale.
Protestat kanë hyrë në ditën e 25-të dhe janë shoqëruar me thirrje kundër projektit të investimit, të cilin qytetarët e konsiderojnë të dëmshëm për ekosistemin e zonës.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Kryeministria lidhur me simbolikën e fotos së re në profilin e kryeministrit, e cila për disa është interpretuar si një mesazh i tërthortë në lidhje me debatin për zonën.
Debati për zhvillimet në Zvërnec vijon të mbetet një nga çështjet më të diskutuara në opinionin publik dhe politik gjatë ditëve të fundit.














