Aksidentet rrugore në vend kanë shënuar rënie edhe gjatë muajit shkurt, duke vijuar trendin pozitiv të nisur në fillim të vitit. Megjithatë, pavarësisht përmirësimit të shifrave, të dhënat tregojnë se problemi kryesor mbetet i pandryshuar: sjellja e drejtuesve të mjeteve, veçanërisht te të rinjtë.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga INSTAT, në shkurt 2026 janë regjistruar 97 aksidente rrugore, ku 125 persona kanë mbetur të aksidentuar, mes të vrarëve dhe të plagosurve.

Reklame

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i aksidenteve në periudhën janar–shkurt ka rënë me 9.4%, një tregues pozitiv që sinjalizon një ulje të lehtë të rrezikut në rrugë.

Por, pas kësaj panorame statistikore fshihet një realitet më shqetësues. Sipas INSTAT, 86.6% e aksidenteve ndodhin si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve, duke konfirmuar se faktori njerëzor vijon të jetë shkaku kryesor i përplasjeve në rrugë.

Një tjetër element që bie në sy është përfshirja e lartë e të rinjve në aksidente. Grupmosha 25–34 vjeç përbën 27.8% të totalit të aksidenteve, duke u renditur si më problematikja në timon. Kjo kategori jo vetëm që është më e ekspozuar ndaj rrezikut, por edhe më e prirur për shkelje të rregullave të qarkullimit.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se aksidentet ndodhin më shpesh në fundjavë, me ditën e shtunë që kryeson me 21.6% të rasteve, ndërsa dita me më pak aksidente rezulton e marta me 10.3%.

Sa i përket orareve, intervali më problematik mbetet ai nga ora 08:00 deri në 12:00, ku regjistrohet 22.7% e aksidenteve totale.

Në këtë panoramë, ndonëse shifrat janë në rënie, sfida për sigurinë rrugore mbetet e hapur. Ekspertët theksojnë se ulja e aksidenteve nuk mund të jetë e qëndrueshme pa një ndryshim të sjelljes në timon, sidomos nga drejtuesit e rinj, të cilët vijojnë të mbeten grupi më i rrezikuar dhe njëkohësisht më problematik në rrugë.

Reklame