Avokati Kujtim Cakrani është dhunuar ditën e sotme në Vlorë dhe është transportuar për mjekim në spital, pas një konflikti të ndodhur në një pikë karburanti.
Sipas informacioneve paraprake, Cakrani është përfshirë në një konflikt me disa persona, për arsye ende të paqarta, ku gjatë përplasjes dyshohet se është goditur në fytyrë me derën e një automjeti, duke pësuar dëmtime që kanë kërkuar ndërhyrje mjekësore.
Deri më tani, dinamika e plotë e ngjarjes nuk është zbardhur, ndërsa autoritetet po punojnë për të sqaruar rrethanat dhe për të identifikuar personat e përfshirë në konflikt.
Kujtim Cakrani njihet publikisht si avokat mbrojtës i kreut të Partisë së Lirisë, në procesin gjyqësor që po zhvillohet në GJKKO, ku klienti i tij akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Aktualisht, nuk dihet nëse dhunimi ka lidhje me ushtrimin e funksionit të tij si avokat, apo nëse bëhet fjalë për një konflikt të rastësishëm. Policia pritet të japë informacion zyrtar pas përfundimit të veprimeve hetimore.














