Interesi i bizneseve për programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” po rritet. Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se aktualisht rreth 400 biznese janë në proces aplikimi për financim, ndërsa deri më datën 5 janë miratuar 32 kredi, me një vlerë totale prej 5 milionë eurosh.
Sipas Ramës, ritmi i miratimit të kredive është përshpejtuar gjatë muajve të fundit. Në gusht janë miratuar 5 kredi, në shtator 20 dhe gjatë ditëve të para të këtij muaji janë miratuar edhe 7 kredi të tjera.
Kryeministri tha se programi është krijuar për të mbështetur bizneset e vogla dhe të mesme që janë konsoliduar në treg dhe kanë potencial për zgjerim, por përballen me mungesë financimi.
Kredi me interes deri në 2%
Skema ofron kredi me interes deri në 2%, ndërsa shteti garanton deri në 70% të kredisë.
Financimi mund të arrijë deri në 2 milionë euro, ndërsa afati maksimal i shlyerjes është deri në 10 vjet.
Rama e cilësoi skemën si një mundësi për bizneset që kanë një ide dhe plan konkret për rritjen e aktivitetit, por nuk kanë kapacitetin e nevojshëm financiar për ta realizuar investimin.“Shohim një rritje të interesit. Kemi sot rreth 400 biznese që janë në proces, deri në datën 5 kemi 32 kredi të miratuara për një vlerë 5 milionë euro dhe ajo që na vjen mirë të shohim është ritmi i përshpejtuar”, tha Rama.
Sipas tij, numri i bizneseve që mund të përfitojnë nga skema mund të jetë edhe më i madh, ndaj ai u bëri thirrje sipërmarrjeve të tjera që të aplikojnë.
Qeveria premton ndërmjetësim me bankat
Kryeministri tha gjithashtu se qeveria do të ketë një rol aktiv gjatë procesit të aplikimit dhe financimit.
Sipas Ramës, Ministria e Ekonomisë do të ndërhyjë në rastet kur bizneset përballen me vështirësi në marrëdhëniet me bankat, duke argumentuar dhe mbështetur projektet e tyre.
Ai veçoi në mënyrë të posaçme bizneset e bujqësisë, për të cilat tha se marrëdhënia me sektorin bankar është shpesh më e vështirë.
“Ministria do të jetë në anën tuaj. Raporti me bankat është nganjëherë shumë i vështirë për bizneset e bujqësisë, ndaj ministria do të jetë ndërmjetësi dhe garantuesi juaj”, u shpreh kryeministri.
Skema mund të kombinohet me fondet e AZHBR-së
Për investimet në zonat rurale, Rama tha se programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” mund të kombinohet edhe me skemat e mbështetjes së AZHBR-së.
Sipas tij, kombinimi i instrumenteve të financimit mund t’u krijojë bizneseve më shumë mundësi për realizimin e investimeve.
“Kur vjen puna te investimet në fshat, që ne jemi të interesuar t’i nxisim, përveç programit ‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’, kemi edhe programin e AZHBR-së, ndaj mund t’i kombinojmë të dyja”, tha Rama.
Programi synon të mbështesë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme që kanë një plan investimi dhe kërkojnë financim për zgjerimin e aktivitetit.
Lexo edhe
“Prania Besnike”.Buxheti 2027 shkon në 10 miliardë, Rama: Do të rishpërndajmë më shumë














