Një 47-vjeçar nga Korçë ka rënë në prangat e policisë pas një hetimi 4-mujor, pasi dyshohet se ka ndërtuar një skemë shantazhi me biseda dhe foto intime, duke zhvatur mijëra euro nga shtetas grekë.
Operacioni policor i koduar “Blackmail”, i finalizuar nga Policia e Shtetit përmes Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Korçë, është rezultat i hetimeve me metoda proaktive, të ndjekura në koordinim me Prokurorinë.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi K. J., 47 vjeç, dyshohet se për rreth 3 vite ka shantazhuar një shtetas grek, duke e kërcënuar se do t’i publikonte biseda dhe foto intime, nëse nuk paguante. Nga kjo skemë ai ka përfituar rreth 4000 euro vetëm nga një viktimë.
Hetimet zbuluan se i njëjti mekanizëm shantazhi është përdorur edhe ndaj shtetasve të tjerë grekë, prej të cilëve dyshohet se janë përfituar shuma shumë më të larta, që variojnë nga 30 000 deri në 40 000 euro.
47-vjeçari është arrestuar për veprat penale: “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” “Mashtrimi”
Policia bën me dije se hetimet vijojnë, me qëllim identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme ligjore.














