Elvis Kosova, i njohur edhe si “Visi i garave” apo “Visi i makinave të shpejta”, është arrestuar në Palasë pas një konflikti familjar. Gjatë ndërhyrjes në banesë, policia ka gjetur një pistoletë, ndërsa në një kontroll të banesës së tij në Tiranë janë sekuestruar edhe municion dhe krehra me fishekë.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 13:40, pas një njoftimi për një konflikt familjar në një vilë të një kompleksi në zonën e Palasës.
Shërbimet e Patrullës së Zonës kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, ndërsa për shkak të situatës së përshkallëzuar janë angazhuar edhe forca shtesë të Stacionit të Policisë Dhërmi.
Sipas Policisë, gjatë ndërhyrjes në banesë është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë.
Municion edhe në banesën në Tiranë
Kontrollet kanë vijuar edhe në banesën e 40-vjeçarit në Tiranë, ku, me mbështetjen e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, janë gjetur dhe sekuestruar dy pako me municion luftarak dhe dy krehra me fishekë.
Nga verifikimet paraprake të Policisë, E. K. dyshohet se ka dhunuar dhe kanosur bashkëshorten e tij.
Ndërhyrja e menjëhershme e efektivëve bëri të mundur neutralizimin e situatës dhe, sipas Policisë, parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.
Elvis Kosova është arrestuar në flagrancë dhe është shoqëruar nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Fier, në ambientet e Policisë.
Emër i njohur për policinë
Elvis Kosova është një emër i njohur më herët për autoritetet.
Në korrik të vitit 2025, një sasi tritoli u vendos në portën hyrëse të një garazhi në pronësi të tij, në rrugën “Peti”. Shpërthimi shkaktoi dëme materiale në disa automjete të parkuara pranë garazhit.
Ndërkohë, në gusht 2024, Kosova u arrestua së bashku me një shtetas turk në lidhje me një hetim për përvetësimin e dyshuar të një automjeti luksoz Audi R8, me vlerë rreth 200 mijë euro.
Sipas hetimeve të asaj kohe, automjeti ishte marrë me qira në Gjermani dhe ishte sjellë në Shqipëri, ndërsa më pas i ishte dorëzuar Kosovës. Çështja vijoi me hetime nga autoritetet.
Tashmë, emri i tij rikthehet në vëmendje pas arrestimit në Palasë, këtë herë në kuadër të hetimeve për dhunë dhe kanosje në familje, si dhe për mbajtje pa leje të armëve dhe municionit.
Policia vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rastit, ndërsa materialet do t’i referohen Prokurorisë.
Lexo edhe:
Turqia kërkon nga Interpoli të lëshojë urdhër ndërkombëtar për arrestimin e Netanyahu-t
Ylli Zalla del para gjykatës, njihet me masën e sigurisë pas arrestimit në Fushë-Krujë













