Advertisement

Policia e Vlorës ka arrestuar dy roje private sigurie që në bashkëpunim me Gerald Bibën, të dyshuar si të përfshirë në incidentin gjatë protestës së zhvilluar në Zvërnec, ku një pjesëmarrës në tubim u tërhoq me forcë dhe u shoqërua në një zonë të rezervuar për sigurinë.

Sipas njoftimit zyrtar, në pranga kanë rënë shtetasit A.G., 35 vjeç, dhe G.V., 41 vjeç, të dy banues në Tiranë, të cilëve Gjykata e Vlorës u kishte caktuar më herët masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Reklame

Hetimet e zhvilluara nga policia, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, kanë zbuluar se të dy të arrestuarit dyshohet se në bashkëpunim me një tjetër shtetas, tashmë të ndaluar, kanë tërhequr me forcë pjesëmarrësin në tubim, shtetasin E.S., duke i shkaktuar edhe dëmtime trupore.

Nga verifikimet rezulton gjithashtu se personat e ndaluar nuk figurojnë të regjistruar apo të licencuar si punonjës të sigurisë fizike në asnjë subjekt të licencuar.

Policia bën me dije se vijojnë hetimet intensive për të dokumentuar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësinë penale të të gjithë personave të përfshirë në incidentin e ndodhur më 30 maj 2026, gjatë tubimit në zonën e Portonovës, Zvërnec.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.

Reklame