Situata e zjarreve në Shqipëri paraqitet ndjeshëm më e përmirësuar. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri, nga të cilat 28 janë shuar plotësisht, 3 janë nën mbikëqyrje dhe vetëm 1 vijon aktive.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 426 forca operacionale vendore dhe lokale dhe 30 automjete zjarrfikëse.
Në mbështetje të operacioneve, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 92 efektivë, 10 mjete, 1 dron dhe 1 autoambulancë.
Vetëm një vatër aktive
E vetmja vatër që vijon aktive ndodhet në fshatin Gallatë, njësia administrative Milot, Bashkia Kurbin. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, zjarri ka ardhur nga territori i Bashkisë Mat.
Terreni i vështirë pengon ndërhyrjen e mjeteve, por autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Tre vatra nën mbikëqyrje në Dibër
Në Qarkun Dibër, vatrat në Lundre–Madhesh në bashkinë Mat, Cerrujë të Klosit dhe Selishtë vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje.
Edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Dajti dhe Mali me Gropa janë fikur
Në Qarkun Tiranë, zjarri në Malin e Dajtit është shuar. Gjatë ditës së djeshme në operacion u angazhuan edhe 33 forca ushtarake.
E fikur rezulton edhe vatra në Malin me Gropa.
Në Qarkun Shkodër janë shuar vatrat në Porav, Rragam dhe malin e Tërbunit.
Po ashtu, janë shuar edhe vatrat e raportuara në Fier dhe Mallakastër, Elbasan dhe Korçë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
Zjarret në Shqipëri/ 21 vatra gjatë ditës, 5 mbeten aktive në Dibër, Shkodër dhe Fier
Digjet toka, pastaj vjen investimi? A kanë lidhje zjarret me “Paketën e Maleve”














