Advertisement

Dy persona janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Fierit, pasi dyshohet se janë kapur duke ndezur zjarre në zona të ndryshme të qarkut.

Policia bën me dije se kontrollet dhe monitorimi i territorit janë intensifikuar me qëllim parandalimin e zjarrvënieve dhe identifikimin e personave që shkaktojnë zjarre.

Reklame

Në fshatin Eskaj të Lushnjës, është arrestuar 60-vjeçari me inicialet K. B., i cili, sipas Policisë, u konstatua duke ndezur qëllimisht zjarr në tokën që kishte marrë me qira.

Në një tjetër rast, në fshatin Hasturkas, në zonën e mbrojtur Divjakë-Karavasta, është arrestuar 25-vjeçari E. S., banues në Fier. Ai dyshohet se ka shkaktuar zjarr në grykëderdhjen e lumit Seman.

Sipas Policisë, zjarri ka përfshirë bimësi dhe një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllëzuar, pjesë e zonave të mbrojtura.

Dy persona të tjerë procedohen penalisht

Përveç dy arrestimeve, Policia e Fierit ka nisur procedim penal edhe ndaj dy personave të tjerë, të moshës 71 dhe 77 vjeç.

Ata dyshohet se kanë ndezur zjarre në tokat e tyre, përkatësisht në fshatin Varibop të Fierit dhe në fshatin Çërrilë të Mallakastrës.

Sipas autoriteteve, për shkak të erës së fortë, flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur në sipërfaqe me bimësi.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Policia u ka bërë apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, veçanërisht djegien e mbetjeve bujqësore apo pastrimin e tokave përmes zjarrit.

Autoritetet paralajmërojnë se praktika të tilla mund të çojnë në përhapjen e pakontrolluar të flakëve dhe në pasoja të rënda për jetën e njerëzve, pronën dhe mjedisin.

Lexo edhe:

Zjarret në Levan/ Çako: Prioriteti është jeta e njerëzve, 3 persona me asfiksi

“Zjarret e përshtatshme”/ Ina Zhupa: Me një shkrepëse, zona e mbrojtur mund të kthehet në resort

Reklame