Një operacion antidrogë i koduar “Lightning” ka çuar në zbulimin e pesë parcelave me kanabis, të kultivuara në ambiente të mbyllura dhe të hapura, në fshatin Velë, njësia administrative Kolsh, në Lezhë.
Si rezultat i operacionit, Policia arrestoi Marin Feta, 39 vjeç, pronar i banesës së përshtatur për kultivimin e drogës, si dhe Anton Mashnori, 27 vjeç, banues në Ishull Shëngjin.
Gjatë kontrolleve, uniformat blu asgjësuan 174 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, ndërsa sekuestruan:
- 2 armë gjahu;
- pajisje dhe llamba për kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura;
- lidhje të paligjshme të energjisë elektrike;
- një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa;
- 1 automjet;
- 18 telefona celularë.
Sipas Policisë, në një prej ambienteve të banesës ishin kultivuar 119 bimë kanabisi me ndriçim artificial dhe pajisje të posaçme, ndërsa dy ambiente të tjera ishin përgatitur për të njëjtën veprimtari kriminale.
Kontrollet vijuan edhe në zonën përreth, ku u zbuluan dy parcela të tjera me 55 bimë Cannabis Sativa, të cilat dyshohet se ishin kultivuar nga dy të arrestuarit.
Në vijim të operacionit, Policia ushtroi kontroll edhe në banesën e 27-vjeçarit Anton Mashnori, ku gjeti dhe sekuestroi 16 telefona celularë. Hetimet vijojnë për të përcaktuar origjinën dhe përdorimin e tyre.
Në hetim 4 punonjës të OSHEE-së
Në lidhje me këtë rast, Prokuroria ka nisur procedim penal ndaj katër punonjësve të OSHEE-së, të dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv”.
Bëhet fjalë për shtetasit me iniciale:
- J. Gj., shef grupi;
- F. M., lexues;
- N. G., elektricist;
- B. N., elektricist.
Sipas hetimeve paraprake, pajisjet që shërbenin për kultivimin e kanabisit furnizoheshin me energji elektrike përmes lidhjeve të paligjshme, ndërsa po verifikohet nëse punonjësit e OSHEE-së kanë favorizuar këtë aktivitet.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.
Zbulohen bimë kanabis në Mirditë, tre persona përfundojnë në pranga
Laborator droge në zemër të Lezhë–Milotit: Babë e bir në burg, punonjësi i OSHEE në arrest shtëpie













