Erisa Xhixho ka përcjellë një mesazh me rastin e 9 Majit – Ditës së Europës, duke e cilësuar këtë datë si simbol të projektit më të madh të paqes, unitetit dhe bashkëpunimit në kontinentin europian.

Sipas saj, ky projekt mbetet ndër më të suksesshmit në historinë moderne, pavarësisht sfidave dhe pengesave ndër dekada.

Reklame

Xhixho thekson se për Shqipërinë, Dita e Europës është më shumë se një simbolikë, duke nënvizuar se integrimi europian është e vetmja rrugë për vendin. Ajo shprehet se Europa duhet ndërtuar në radhë të parë brenda vendit, përmes demokracisë funksionale, shtetit të së drejtës, institucioneve të pavarura dhe mundësive të barabarta për qytetarët.

Në deklaratë rikujtohet edhe rrugëtimi historik i shqiptarëve, nga figura e Gjergj Kastrioti Skënderbeu, te pjesëmarrja në Luftën e Dytë Botërore kundër nazifashizmit dhe deri te rrëzimi i diktaturës komuniste me thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Megjithatë, ajo vlerëson se Shqipëria sot mbetet ende larg standardeve europiane, duke përmendur si pengesa korrupsionin, krimin e organizuar, kapjen e institucioneve, mungesën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe largimin masiv të të rinjve.

Në fund, Xhixho thekson se është koha për ndërtimin e një Shqipërie ku rinia të ketë shpresë dhe mundësi, duke e konsideruar rrugën drejt Bashkimit Europian një betejë të përditshme që duhet fituar.

Reklame