Ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve Aleksandër Kola, çobani që punonte në stanin ku dyshohet se është fshehur Violand Braçellari, i akuzuar për vrasjen e efektivit të Forcave “Shqiponja”, Enea Mekolli, dhe plagosjen e kolegut të tij Edison Adri.
Në dëshminë e tij, Kola ka treguar se Braçellari kishte një sjellje të dyshimtë dhe të armatosur vazhdimisht, ndërsa sipas tij, ai merrte telefonata të shpeshta që e paralajmëronin për lëvizje në zonë.
Sipas Kolës, ai kishte nisur punë në stan në mes të majit 2026, me një pagesë rreth 1200 euro në muaj. Ai ka deklaruar se Braçellari mbante me vete armë automatike dhe armë gjahu, dhe në disa raste largohej drejt zonave malore pas sinjalizimeve që merrte.
Kola ka rrëfyer gjithashtu se disa ditë para ngjarjes, Braçellari ishte larguar i armatosur pasi ishte njoftuar për lëvizje automjetesh të dyshimta pranë stanit.
Në dëshmi përmendet edhe një konflikt i ndodhur më 3 qershor 2026, ku Kola pretendon se ka kërkuar të largohej për arsye familjare, por kërkesa i është refuzuar nga Braçellari. Sipas tij, debati ka degjeneruar në fyerje, kërcënime dhe dhunë fizike, ndërsa ai thotë se është kërcënuar me armë.
Pas këtij incidenti, Kola është larguar nga stani duke marrë sendet personale dhe më pas ka bërë kallëzim në polici, i cili më vonë u bë një nga elementët kyç në hetimet që çuan në operacionin për kapjen e të dyshuarit.














