Zbardhet dëshmia e plotë e Laureta Buçpapaj, bashkëshortes së Gazment Buçpapaj, i shpallur në kërkim si i dyshuar për vrasjen e Elgi Pashollarit.
“Rreth orës 15:05 të 20 shkurtit, pasi përfundova punën, u largova me ‘Audi’-n që drejtohej nga burri im,” ka deklaruar Laureta në polici.
Laureta rrëfen:“Gjatë lëvizjes në zonën e rrugës ‘Ylbere Bylykbashi’ dhe ‘Kongresi i Lushnjës’, një automjet ngjyrë gri na bllokoi rrugën. Burri im i ra borisë për ta sinjalizuar që të lëvizte dhe dëgjuam fjalë ofenduese, por nuk reaguan dhe vazhduam rrugën.”
Sipas dëshmisë së saj, konflikti u përshkallëzua kur makina gri përsëri iu afrova:“Nga ky mjet ka dalë shoferi, një djalë rreth 30 vjeç, i shoqëruar nga dy persona. Bashkëshorti im dhe ai nisën të goditeshin me grushte. Edhe unë dola dhe shtyva drejtuesin e makinës dhe një prej të shoqëruesve të tij. Pas disa çasteve, pashë shoferin e gjakosur, por burri im e kapërceu dhe u larguam me makinën tonë.”
Nga kamerat e sigurisë rezulton se rreth 50 metra larg vendit të ngjarjes, dyshohet se kanë braktisur automjetin dhe janë larguar në këmbë drejt Rrugës së Kavajës. Më pas kanë marrë taksi për në zonën e “Sharrës”. Laureta sqaron:“Bashkëshorti ka ndërruar rrobat dhe u largua nga banesa pa telefonin e tij. Nuk kam dijeni për vendndodhjen e tij.”
Ajo shton se nuk e ka parë momentin e goditjes, por dyshon:“Mund të jetë goditur me thikë, të cilën e mbante në automjet.”
Gazment Buçpapaj vijon të jetë në kërkim nga policia, ndërkohë që hetimet për vrasjen e Egli Pashollarit janë në zhvillim e sipër.














