Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mbetet në arrest me burg, pas vendimit të Apelit të Gjykatës së Posaçme të GJKKO-së. Veliaj kishte ankimuar vendimin e 1 shkurtit të gjyqtares Etleva Deda, duke kërkuar një masë më të butë sigurie, përfshirë garanci pasurore ose alternativa të tjera.
Në seancë, Veliaj ishte fizikisht i pranishëm dhe u përfaqësua nga avokatja Valentina Teodoresku. Kryebashkiaku ka pretenduar vazhdimisht se i është mohuar e drejta për mbrojtje efektive, pasi nuk është njohur ende me dosjen hetimore. Ai ka refuzuar avokaten e caktuar nga gjykata, duke argumentuar se ajo nuk ka njohje reale mbi dosjen dhe nuk përfaqëson interesat e tij.
Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK ka dërguar kërkesën për kalimin e çështjes për gjykim vetëm 5 muaj më parë. Kryebashkiaku akuzohet për 13 vepra penale, përfshirë korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futjen e sendeve në burg.
Shumica e akuzave lidhen me korrupsion pasiv në 9 raste, ku SPAK pretendon se Veliaj ka përfituar në mënyrë të parregullt nga disa kompani që kanë marrë leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste dhe për veprime të tjera penale, duke përfshirë pastrim parash dhe fshehje të të ardhurave.















