Reshjet intensive të shiut kanë sjellë sërish probleme serioze në aksin rrugor Gramsh–Kukur, duke vënë në rrezik jetën e drejtuesve të mjeteve dhe duke izoluar përkohësisht banorët e zonës.
Ngjarja është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, në vendin e njohur si “Përroi i Pishave”, ku një kamion i ngarkuar me mallra ushqimore ka mbetur i bllokuar pasi një pjesë e rrugës është shembur nga rrëshqitjet e dherave.
Sipas informacioneve nga zona, mjeti po transportonte furnizime për dyqanet e njësisë administrative Kukur, kur papritur segmenti rrugor ka ceduar, duke e lënë kamionin të pezulluar në buzë të humnerës.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë momentet dramatike, ndërsa banorë të zonës dhe drejtues mjetesh janë përpjekur për orë të tëra të stabilizojnë kamionin dhe të shmangin rrëshqitjen e tij në greminë. Në ndihmë janë përdorur edhe mjete foristradë, ndërsa drejtuesi i kamionit ka kërkuar ndërhyrje urgjente.
Banorët shprehen se aksi Gramsh–Kukur prej vitesh ndodhet në gjendje problematike dhe se reshjet e shiut e bëjnë pothuajse të pakalueshëm. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për rehabilitimin e rrugës, duke paralajmëruar se situata mund të përfundojë në tragjedi.
Deri tani nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa rreziku për rrëshqitje të mëtejshme mbetet i lartë.













