Advertisement

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shpallur sot vendimin për çështjen penale ndaj Florian Habilajt, Armando Sulajt, Sabaudin Çelajt dhe Tigrens Mëzurajt, të akuzuar për trafikim narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Procesi është zhvilluar me procedurën e gjykimit të shkurtuar, çka ka sjellë edhe uljen e dënimeve me një të tretën.

Reklame

Florian Habilaj u shpall fajtor për dy episode të veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, njëri i mbetur në tentativë, të kryer në bashkëpunim dhe në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”.
Gjykata caktoi fillimisht një dënim prej 15 vitesh burg, i cili u reduktua në 10 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ai do ta vuajë dënimin në burg të sigurisë së lartë.

Armando Sulaj u shpall fajtor po për “Trafikim narkotikësh” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Dënimi fillestar prej 9 vitesh burg u ul në 6 vite përfundimtare. Edhe ai do të vuajë dënimin në institucion të sigurisë së lartë.

Sabaudin Çelaj u dënua fillimisht me 15 vite burg, të cilat u reduktuan në 10 vite pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Dënimi do të kryhet në burg të sigurisë së lartë.

Tigrens Mëzuraj u dënua me 9 vite burg, të reduktuara në 6 vite pas uljes ligjore. Edhe ai do të vuajë dënimin në burg të sigurisë së lartë.

Katër të dënuarit u gjetën fajtorë për përfshirje në një grup të organizuar kriminal, të angazhuar në trafikimin e lëndëve narkotike, një nga veprat penale më të rënda të parashikuara në Kodin Penal.

Reklame