Hetimet mbi vdekjen e biznesmenit italian Massimo Ferro po zhvillohen paralelisht në Tiranë dhe në Itali, ndërsa nga Prokuroria e Padovës kanë dalë detaje të reja pas autopsisë së dytë të kryer me urdhër të autoriteteve italiane.
Sipas mediave italiane, ekzaminimi mjeko-ligjor i realizuar nga eksperti Antonello Cirnelli ka konstatuar se në trup mungonin stomaku dhe një pjesë e zemrës. Këto organe rezulton të jenë hequr gjatë autopsisë së parë, e kryer në Shqipëri një ditë pas ndarjes nga jeta të biznesmenit, në fund të muajit dhjetor.
Po ashtu, raporti thekson se trupi ishte rindërtuar me material leshi, praktikë e konsideruar në Itali si e tejkaluar dhe jashtë standardeve moderne të mjekësisë ligjore.
Dy raportet e autopsisë – ai i kryer në Shqipëri dhe ai në Itali – do t’i nënshtrohen një analize të detajuar krahasimore për të përcaktuar nëse vdekja e Ferron lidhet me shkaqe natyrore apo me komplikacione të mundshme nga ndërhyrja kirurgjikale ose menaxhimi pas operacionit. Ndërkohë, Prokuroria e Padovës i ka kërkuar zyrtarisht autoriteteve shqiptare të gjithë dokumentacionin mjekësor që lidhet me rastin.
Avokatët e familjes theksojnë se rindërtimi i plotë i procesit mjekësor është thelbësor për zbardhjen e së vërtetës.
Massimo Ferro ishte vizituar më 6 dhjetor në Milano dhe më 18 dhjetor iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale të tipit gastrektomi në Shqipëri, në klinikën private “Trita Hospital”. Mbetet për t’u verifikuar nëse janë respektuar të gjitha protokollet para operacionit, përfshirë ekzaminimet paraprake, profilaksinë antibiotike, si dhe vlerësimin psikologjik dhe multidisiplinar, që sipas avokates së familjes nuk rezulton të jetë kryer.
Në fokus të hetimeve është edhe trajtimi i tij në QSUT, ku u transferua pas shfaqjes së komplikacioneve të para shëndetësore.
Ferro, i diagnostikuar me diabet tip II dhe i vendosur të humbiste peshë pas përpjekjeve të pasuksesshme, kishte zgjedhur një klinikë private në Milano, e cila i kishte propozuar ndërhyrjen për t’u realizuar në Shqipëri, në një strukturë të prezantuar si “binjake”. Kostoja e operacionit ishte 4.400 euro, rreth 10 mijë euro më pak se çmimi i ofruar në Itali.
Sipas raportimeve, komunikimet me kirurgun janë zhvilluar kryesisht përmes aplikacionit WhatsApp, element që po verifikohet nga hetuesit. Pas operacionit, gjendja e tij u përkeqësua dhe ai ndërroi jetë më 22 dhjetor në repartin e reanimacionit në Tiranë.
Familjarët kërkojnë zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive, nëse do të konstatohen shkelje gjatë trajtimit mjekësor.














