Advertisement

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mohuar kategorikisht pretendimet se pjesëtarë të UÇK janë përfshirë në trafik organesh, duke i cilësuar si një narrative hibride e përdorur për njollosjen e luftës çlirimtare dhe imazhit ndërkombëtar të Kosovës.

Deklaratat u bënë gjatë hapjes së Konferencës së Dytë Shkencore Ndërkombëtare të Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, ku Kurti theksoi se e ashtuquajtura “Shtëpi e Verdhë” nuk ka ekzistuar kurrë dhe akuzat ndaj UÇK-së janë të pavërteta.

Reklame

Kurti theksoi se lufta ishte e drejtë dhe e domosdoshme, për liri dhe mbijetesë, dhe se nuk kishte pasur synim dhunë apo pushtet ndaj popujve të tjerë. Ai u shpreh se përpjekjet për ta lidhur UÇK-në me “Shtëpinë e Verdhë” janë pjesë e një strategjie të Serbisë dhe faktorëve ndërkombëtarë për të cenuar legjitimitetin e luftës çlirimtare.

Kryeministri riktheu gjithashtu vëmendjen tek krime të tjera të dokumentuara ndërkombëtarisht, si “Sarajevo Safari”, duke theksuar se për hetimin dhe gjykimin e tyre do të nevojitej një gjykatë speciale ndërkombëtare.“Seancat gjyqësore që po zhvillohen aktualisht në Hagë nuk mund të vënë në dyshim karakterin çlirimtar e antikolonialist të luftës sonë, as aspiratën legjitime të Kosovës për liri, barazi dhe dinjitet njerëzor,” tha Kurti.

Kurti theksoi rëndësinë e dokumentimit shkencor dhe institucional të së vërtetës historike dhe përgjegjësinë për të reflektuar mbi plagët e luftës, si një akt moral ndaj viktimave dhe brezave të ardhshëm.

Reklame