Erion Veliaj ka reaguar pas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve se urdhri për transferimin e tij në burgun e Fierit është klasifikuar si “sekret shtetëror”.

Në reagimin e tij, Veliaj kundërshton mosvënien në dispozicion të dokumentit, duke pretenduar se kjo i mohon mundësinë për ta njohur vendimin, për ta kundërshtuar dhe për ta ankimuar në mënyrë efektive.

Reklame

“U deshën 31 orë që më në fund të na thuhet se vendimi është sekret!”, shkruan Veliaj.

Ai vijon duke kritikuar vendimin e autoriteteve për ta klasifikuar dokumentin, duke e cilësuar këtë veprim si kalim nga ajo që ai e quan arbitraritet në vendimmarrje, drejt fshehjes së saj pas sekretit shtetëror.

“Pra, jo vetëm që nuk na vihet në dispozicion akti, por synohet të na mohohet edhe mundësia për ta njohur, kundërshtuar dhe ankimuar efektivisht atë”, shprehet ai.

Në fund të reagimit, Veliaj kërkon që autoritetet t’i vënë në dispozicion autorizimin e Kryeministrit, për të cilin ai pretendon se u jep atyre kompetencën për të klasifikuar dokumentin si sekret shtetëror.

“Na vini në dispozicion autorizimin e Kryeministrit të vendit që ju autorizon si autoritet klasifikues”, përfundon reagimi i tij.

Reagimi vjen pasi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëri të ditur se transferimi i Veliajt është kryer në kuadër të masave për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e institucioneve penitenciare, ndërsa urdhri përkatës është klasifikuar si sekret shtetëror.

Lexo edhe

Transferimi i Veliajt në Fier, reagon Drejtoria e Burgjeve : Urdhri është sekret shtetëror

Lëvizje në PS për transferimin e Veliajt/ Xhafaj e Çuçi nënshkruajnë kërkesën urgjente për Ministrin e Drejtësisë

Reklame