Autoritetet shqiptare kanë finalizuar ekstradimin e tre shtetasve shqiptarë nga Danimarka, Franca dhe Italia, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, njofton Policia e Shtetit.
Nga Danimarka u ekstradua Daniele Matoshi, i njohur edhe si Daniele Çela ose Oklid Cela, 28 vjeç, i lindur në Elbasan. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas vendimit të Gjykatës së Elbasanit më 18 korrik 2025, që i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Më parë, Daniele ishte dënuar në Norvegji me 13 vite burg për trafikim të narkotikëve, pjesëmarrje në organizatë kriminale, falsifikim dokumentesh dhe vjedhje të energjisë elektrike. Hetimet e mëtejshme zbuluan pasuri të pajustifikuara në emër të tij dhe të familjarëve.
Nga Franca u ekstradua Christopher Rudoviç, 25 vjeç, i lindur në SHBA. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Tiranës më 5 nëntor 2024 me 8 muaj burg për prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje të armëve të ftohta. Në qershor 2024, gjatë kontrollit në aeroportin e Rinasit, në valixhet e tij u gjetën dy thika metalike.
Nga Italia u ekstradua Gazmir Mjelli, i njohur edhe si Gazmir Hamzaj, 39 vjeç, i lindur në Berat. Gjykata e Fierit më 13 korrik 2024 i kishte caktuar masën “Arrest me burg” për mashtrimin, pasi akuzohet se kishte marrë një shumë parash nga një shtetas për t’ia mundësuar udhëtimin ilegal drejt Italisë.
Policia e Shtetit thekson se operacioni “The Wanted” është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe parandalimin e krimeve me përmasa ndërkombëtare.














