Ngjarja e rëndë me dy viktima në fshatin Demiraj të Gjilanit ka sjellë reagimin e ministres së Drejtësisë në Kosovë, Donika Gërvalla, e cila ka kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave dhe hetim pa vonesa. Për rastin është arrestuar një person, i dyshuar për vrasje.

Përmes një reagimi në Facebook, Gërvalla ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave, duke theksuar se familja duhet të jetë vendi më i sigurt për çdo njeri dhe se çdo ngjarje që cenon këtë siguri kërkon reagim të menjëhershëm institucional.

Reklame

“Një ngjarje tragjike ka tronditur sot Gjilanin dhe të gjithë ne, me humbjen e dy jetëve në fshatin Demiraj. Familja duhet të jetë streha më e sigurt e njeriut, vendi ku mbizotërojnë dashuria, harmonia, kujdesi dhe mbrojtja. Çdo ngjarje që e cenon këtë siguri kërkon vëmendje dhe reagim të menjëhershëm institucional”, shkruan ministrja.

Ajo ka kërkuar që autoritetet të hetojnë plotësisht dhe pa vonesa rrethanat e ngjarjes, në mënyrë që të zbardhet e vërteta dhe të merren masat që parashikon ligji.

“Në këto momente, është e domosdoshme që rrethanat e këtij rasti të hetohen plotësisht dhe pa vonesa, në mënyrë që e vërteta të zbardhet dhe institucionet përgjegjëse të ndërmarrin veprimet që kërkon ligji. Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të viktimave”, përfundon reagimi i Gërvallës.

Lexo edhe:

Ngjarjet e fundit në Kosovë. Jep dorëheqjen drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha

Vrasja e Arlinda Zekajt tronditi Kosovën, qytetarët protestojnë edhe sot në Prishtinë: Duam drejtësi!

Reklame