Pas luftës së hapur me kryeministrin Edi Rama, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i ka dërguar një letër edhe GJKKO-së, së cilës i kërkon një hetim të plotë e të paanshëm për transferimin e tij nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit. Në letër, Veliaj pretendon se ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i ka thënë gjatë takimit në burgun e Fierit se “rrëmbimi”, siç ai e quan, është bërë me urdhër personal të Ramës që “të bëjë burg tamam”.
Në letër, Veliaj flet për takimin me ministrin Gogu, për të cilin pretendon se në emër të Ramës i ka thënë edhe se prokurorët po përgatiteshin t’i shtonin akuza, deri te prishja e rendit kushtetues, për përfshirje në organizmin e protestave të flamingove dhe studentëve. Vetë Veliaj e sfidoi dje publikisht Ramën që të vërtetojë lidhjen e tij me protestat ose në të kundërt të ikë nga drejtimi i vendit.“Unë përgjigjen e mora të premten afër mesnatës kur Ministri i Drejtësisë z. Gogu më bëri të qartë në IEVP Fier se jam transferuar me urdhër personal të Kryeministrit Rama; ‘që të bëj burg tamam’ dhe t’ia dijë për nder se prokurorët po bëheshin gati të më shtojnë akuza të tjera, ku më e rënda do qe ajo e prishjes së rendit kushtetues për përkrahjen, organizimin dhe financimin e protestave të Flamingove dhe studentëve, përveçse është po aq e pavërtetë sa dhe Nesti Angoni e Nasta Pëllumbi, është dhe e paligjshme si ndërhyrja e Kryeministrit për transferimin ashtu dhe pretendimi se prokurorët negociojnë me të persekutimin tim të vazhdueshëm dhe shtimin e akuzave. Kjo kërkon një hetim të plotë, të thellë e të paanshëm. Po e lë në gjykimin tuaj marrjen e masave me besim të plotë”, shkruan Veliaj.
Gjatë seancës gjyqësore, GJKKO bëri të ditur se administrata e burgjeve nuk e kishte njoftuar për transferimin e Veliajt në Fier. Për pretendimin se lëvizja është urdhëruar nga kryeministri, gjykata sqaroi se kjo çështje nuk është objekt i procesit dhe i sugjeroi të parit të Tiranës të ndjekë rrugën institucional“Gjykojmë se nuk është kompetencë e jona sa u takon pretendimeve se transferimi është bërë me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Të ndjekë rrugën institucionale, nuk është objekt i këtij gjykimi. I takon organeve kompetente të verifikojnë pretendimet e tij”, tha trupi gjykues.
Ndërkohë, gjyqi ndaj Veliajt dhe të pandehurve të tjerë u shty për shkak të mungesës së avokatit të Gentian Sulës. Seanca e radhës do të zhvillohet më 17 nëntor, ndërsa Gjykata e Posaçme vendosi pezullimin e afateve të paraburgimit për Veliajn.

Lexo
Hajdari si “gomone shpëtimi” për Ramën në Tiranë? Veliaj ia shpoi që në breg
Pas përplasjes me Ramën, Veliaj nuk shkon në gjyq, letër gjykatës














