Publikimi i djeshëm i Erion Veliajt ishte një goditje politike me disa objektiva, por më i rëndësishmi ishte Arbër Hajdari. Nëse pretendimet e Veliajt janë të vërteta, atëherë Rama po përpiqej ta përdorte Hajdarin si gomodare shpëtimi për zgjedhjet lokale në Tiranë. Dhe zgjedhja nuk ishte rastësore. Hajdari ka ndërtuar një profil publik përmes aktivitetit social, duke ruajtur një imazh relativisht të pastër nga konsumimi politik i partive. Pikërisht ky profil mund ta bënte një kandidat interesant për Ramën: një emër i ri, i pranueshëm përtej bazës tradicionale të PS-së dhe që mund të shitej si alternativë ndryshe.
Por Veliaj ia prishi lojën pa pritur që kjo kartë të hidhej në tavolinë. Duke publikuar pretendimin se emri i Hajdarit ishte propozuar për të marrë drejtimin e Bashkisë së Tiranës, ai e vendosi atë në qendër të një skenari politik që tani do ta shoqërojë pavarësisht nëse do të kandidojë apo jo.
Hajdari nuk është shpallur kandidat dhe pretendimi i Veliajt nuk është konfirmuar nga palët e tjera. Por dëmi i perceptimit publik është bërë. Një figurë që mund të prezantohej si alternativë e re rrezikon të shihet si produkt i një marrëveshjeje për zëvendësimin e një kryetari bashkie të zgjedhur.
Goditja e dytë ishte ndaj Toni Gogut dhe, përmes tij, Ermal Nufit. Gogu e ka pranuar takimin, por ka mohuar përmbajtjen që i atribuon Veliaj. Kjo kontradiktë kërkon sqarim, ndërsa do të jetë interesante të shihet nëse në ditët në vijim do të ketë një fushatë të koordinuar mediatike kundër kësaj dysheje.
Por Veliaj goditi edhe më lart. Ai vendosi Ramën në qendër të konfliktit dhe ngriti pikëpyetje serioze për pavarësinë e SPAK-ut. Nëse pretendimet e tij për ndërhyrje politike janë të vërteta, atëherë SPAK-u ka një detyrim të qartë: t’i hetojë. Pavarësia e drejtësisë nuk provohet me deklarata, por me veprime konkrete, pavarësisht se ku të çojnë hetimet.
Ndërkohë, deklaratat e Plarent Ndrecës për telefonatën me kryeministrin, ku sipas tij nuk kanë munguar as fyerjet e ndërsjella, e shtojnë edhe më shumë tensionin brenda kësaj historie. Në fund, publikimi i Veliajt duket se pati një efekt të rëndësishëm: e zhvendosi vëmendjen nga mbrojtja e tij personale te mënyra se si po luhet politika për Bashkinë e Tiranës dhe te roli që pretendon se ka pasur kryeministri.
Goditja më e madhe mbetet ajo ndaj Arbër Hajdarit. Rama mund të ketë humbur një kandidat potencial përpara se ta shpallte fare në lojë. Gomordaria që mund ta ndihmonte të shpëtonte në Tiranë, Veliaj ia shpoi që në breg.

Lexo edhe

Reklame

Përplasja Veliaj-Rama, reagon PD: Dënojmë me forcë kërcënimin ndaj kryebashkiakut, duhet hetim urgjent

Pas përplasjes me Ramën, Veliaj nuk shkon në gjyq, letër gjykatës

Reklame