Një ngjarje tragjike ka ndodhur në zonën e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin, ku dy të rinj nga Kosova kanë humbur jetën pasi u rrëmbyen nga dallgët e forta të detit.
Viktimat janë identifikuar si Leonit Aliu, rreth 22 vjeç nga Fushë-Kosova, dhe Jetmir Binaku, 23 vjeç nga Prishtina. Mësohet se Leonit Aliu ishte i njohur edhe në botën e futbollit në Kosovë, pasi kishte qenë pjesë e klubit KF Fushë-Kosovë.
Sipas informacioneve paraprake, pesë të rinjtë kishin ardhur si turistë nga Kosova për të vizituar Shëngjinin dhe zonat përreth. Ata dyshohet se janë futur në det për t’u larë, por për shkak të dallgëve të forta kanë hasur vështirësi për t’u kthyer në breg.
Bashkë me dy viktimat në det ndodheshin edhe Dion Myftari, Arbër Beqaj dhe Drilon Rrustemi, të cilët fatmirësisht arritën të shpëtonin.
Kanë qenë disa qytetarë që ndodheshin pranë zonës me Jet Ski, të cilët në bashkëpunim me policinë dhe ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë për nxjerrjen e të rinjve nga deti. Pesë personat u nxorën në breg, por Leonit Aliu dhe Jetmir Binaku u gjetën pa shenja jete.
Ngjarja ka tronditur familjarët, miqtë dhe komunitetin në Kosovë, ndërsa autoritetet po vijojnë verifikimet për rrethanat e plota të kësaj tragjedie.














