Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e sotme në qarkun e Fier, ku një 36-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht gjatë punës në tokat bujqësore.
Viktima është identifikuar si Hamza Duraj. Sipas informacioneve paraprake, ai kishte dalë për të punuar tokën me frezë, kur dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit bujqësor. Për pasojë, freza është rrëzuar dhe e ka zënë poshtë, duke i shkaktuar plagë fatale dhe vdekje të menjëhershme.
Trupi i pajetë u gjet nga familjarët, të cilët ishin shqetësuar pasi 36-vjeçari nuk po u përgjigjej thirrjeve telefonike. Ata njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës.
Njoftimi i policisë
Sipas njoftimit zyrtar:
“Rreth orës 14:40, në fshatin Peshtan Bregas, shtetasi H. D., 36 vjeç, duke drejtuar një mjet bujqësor (frezë), dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe mjeti bujqësor është rrëzuar duke e zënë poshtë shtetasin H. D., i cili për pasojë ka humbur jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.”
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e kësaj ngjarjeje tragjike.














