Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar lidhur me një emërim të pretenduar në Doganën e Kakavijës, duke kërkuar transparencë nga institucionet dhe verifikim të procedurave të ndjekura.
Në një deklaratë publike, Balliu pretendon se Elvis Hitaj, vëllai i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, është emëruar në një pozicion drejtues në Doganën e Kakavijës. Sipas deputetit demokrat, ky rast ngre pikëpyetje mbi konfliktin e interesit, transparencën dhe funksionimin e mekanizmave të kontrollit institucional.
Balliu e cilësoi pikën kufitare të Kakavijës si një zonë me ndjeshmëri të lartë, duke përmendur rastet e goditjes së kontrabandës dhe sekuestrimeve të kryera nga autoritetet.
“Si mund të garantohet një hetim i paanshëm nëse lindin dyshime apo indicie për veprimtari të paligjshme, kur në një pozicion të tillë ndodhet një familjar i drejtuesit të Policisë së Shtetit?”, është shprehur deputeti i PD-së.
Sipas tij, emërimi krijon një situatë që duhet të sqarohet publikisht, ndërsa kërkoi informacion mbi kriteret dhe procedurën e ndjekur për përzgjedhjen e personit në këtë detyrë.
Partia Demokratike ka kërkuar transparencë të plotë mbi këtë çështje dhe verifikimin e çdo elementi që mund të lidhet me konfliktin e interesit.
Deri në publikimin e kësaj deklarate, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga institucionet përkatëse lidhur me pretendimet e ngritura nga deputeti Balliu.
Lexo edhe:














