Advertisement

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në Durrës, ku një zjarr i rënë në ambientet e një magazine i ka marrë jetën një të riu nga Bangladeshi.

Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 08:00, në një nga ambientet e magazinave të një subjekti me administrator shtetasin S. M., në zonën e Fllakës, Sektor Rinia, ka rënë zjarr.

Reklame

Dyshohet se flakët kanë shpërthyer në ambientin ku gatuhej për punonjësit, ndërsa shkak paraprak mendohet të ketë qenë një bombul gazi.

Si pasojë e zjarrit, ka humbur jetën nga asfiksia shtetasi O. M., rreth 25 vjeç, nga Bangladesh.

Ndërkohë, një tjetër shtetas i huaj, Ch. Ch., rreth 30 vjeç, nga Kenia, është transportuar në spital dhe po merr ndihmë mjekësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur izolimin dhe fikjen e flakëve.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e shkakut të zjarrit dhe dokumentimin ligjor të rastit.

Reklame