Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona të dyshuar për një sërë vjedhjesh banesash në kryeqytet dhe në Durrës. Në pranga kanë rënë Andi Hasani, 45 vjeç dhe Agron Goxhaj, 48 vjeç.
Sipas hetimeve, dy të arrestuarit kanë realizuar një vjedhje në zonën e Kinostudios, ku fillimisht kanë survejuar pronarin e banesës deri në momentin që ai është larguar. Më pas, duke përdorur një çelës të falsifikuar nga Goxhaj, ata kanë hyrë në banesë dhe kanë marrë një kasafortë me sende me vlerë.
Brenda kasafortës, autorët kanë gjetur një shumë parash, bizhuteri dhe një pistoletë me leje në pronësi të banorit. Prania e armës i ka trembur, duke bërë që të dyshonin se pronari mund të ishte efektiv policie. Për këtë arsye, ata janë rikthyer në banesë për të lënë armën dhe kasafortën, por kanë mbajtur sendet e tjera me vlerë.
Megjithatë, në momentin që janë afruar, ata janë përballur me policinë, e cila ishte njoftuar nga pronari pas denoncimit të vjedhjes. Dy autorët kanë tentuar të largohen me vrap, por janë kapur nga efektivët e Komisariatit nr. 4.
Gjatë kontrollit në banesën e Agron Goxhajt, i cili rezulton me precedent penal për plagosje në Shkodër, policia ka zbuluar edhe një punishte për falsifikimin e çelësave të dyerve.
Hetuesit dyshojnë se Hasani dhe Goxhaj kanë përdorur të njëjtën skemë për të kryer edhe vjedhje të tjera në zona të ndryshme të Tiranës dhe në qytetin e Durrësit.













