Advertisement

Marjo Përlleshaj, i dënuar për vrasjen e Martin Canit, ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, që e kishte dënuar me 16 vite burg.

Avokati i tij mbrojtës pretendon se ndaj Përlleshajt nuk duhet të rëndojë akuza për vrasje në rrethana cilësuese, për të cilën ai u shpall fajtor në shkallën e parë. Në argumentet e paraqitura në Apel, mbrojtja thekson se ngjarja ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes dhe nën ndikimin e një tronditjeje të fortë psikike.

Reklame

Këto pretendime ishin parashtruar edhe gjatë gjykimit në shkallën e parë, por nuk u morën parasysh nga gjykata.

Ngjarja e rëndë ndodhi në ambientet e shkollës “Fan Noli”, ku një konflikt mes të miturve përshkallëzoi deri në përdorimin e thikës. Si pasojë, Martin Cani humbi jetën, ndërsa shoku i tij, Luis Mecaj, mbeti i plagosur dhe u dërgua për trajtim mjekësor.

Më 9 dhjetor të vitit të kaluar, Përlleshaj u dënua me 12 vite burg për vrasjen e Martinit dhe me 10 vite për tentativën e vrasjes së një të mituri tjetër. Pas bashkimit të dënimeve, ai mori 16 vite heqje lirie.

Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria kërkoi dënimin maksimal, por gjykata vendosi një masë më të ulët. Apeli pritet të shqyrtojë argumentet e mbrojtjes dhe të vendosë nëse do të konfirmojë apo ndryshojë vendimin e shkallës së parë.

Reklame