AKSHI ka sulmuar hetimin e studiuesit amerikan të sigurisë kibernetike Patrick Quirk, pasi ky i fundit vuri në provë sigurinë kibernetike te Shqipërisë.

Me anë të një  reagimi nërrjete sociale AKSHI ka kundërshtuar një pjesë të përfundimeve të tij mbi Diellën.

Reklame

Sipas AKSHI-t, faqja që sheh qytetari është vetëm ndërfaqja e sistemit dhe jo sistemi vetë. Institucioni deklaron se kërkesat përpunohen në infrastrukturën qeveritare, se Diella është zhvilluar në bashkëpunim me Microsoft dhe se përdor modele të OpenAI në Azure.

AKSHI shton se mungesa e adresave të brendshme, çelësave sekretë dhe kredencialeve në kodin publik nuk provon mungesën e backend-it; sipas saj, pikërisht fshehja e këtyre elementeve tregon respektim të standardeve bazë të sigurisë.

Pretendimi për 54 mijë dokumente

Ajo që AKSHI nuk prek në reagimin e saj është pjesa më e rëndë e historisë: pretendimi i Quirk se infrastruktura e Kuvendit kishte endpoint-e të aksesueshme pa autentikim, prej të cilave ai thotë se arriti të shkarkonte 52,942 skedarë, rreth 32 gigabajt materiale.

Quirk pretendon se, gjatë gjurmimit të infrastrukturës dixhitale të institucioneve shqiptare, ai arriti deri te sistemet e Kuvendit dhe identifikoi një backend OData të hostuar në Azure.

Sipas dokumentimit të tij, sistemi kishte shtatë kategori endpoint-esh dhe gjashtë prej tyre iu përgjigjën kërkesave GET pa kërkuar API key, bearer token apo session cookie.

Vetëm një endpoint, ai i abonimeve, sipas Quirk, kthente përgjigjen 401 dhe kërkonte autentikim.

Quirk: “Tani do t’i publikoj të gjitha”

Pas reagimit të AKSHI-t, Patrick Quirk reagoi në rrjetet sociale. Duke publikuar një screenshot të reagimit të institucionit, studiuesi shkroi: “Found out Albania talking shit about me and my Diella research”.

Më pas ai paralajmëroi publikimin e materialeve që pretendon se ka mbledhur gjatë hetimit.

“Tani do t’i publikoj të gjitha”, shkroi Quirk, duke shtuar më pas: “Menduat se po tregoja përralla? Më vini në provë nëse mendoni se po bëj bllof.”

Pra, studiuesi amerikan duket se e ka marrë reagimin e AKSHI-t si një sfidë direkte ndaj gjetjeve të tij dhe paralajmëron se do të publikojë më shumë materiale.

Lexo edhe:

Balliu akuza të forta: AKSHI dhe KAYO janë nyja që lidh Ramën, Agasin, Ballukun, Ron Yefetin dhe krimin – kërkon hetim pasuror për zyrtarët e lartë

PD: SPAK të hetojë pasuritë e Ermal Beqirit brenda dhe jashtë Shqipërisë, ngre dyshime për aferën e AKSHI-t

Reklame