Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur në Bruksel bilancin e qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit, ndërsa u pyet nga gazetarët për çështjen e Belinda Ballukut dhe ndikimin e saj në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Në mbërritje në samitin BE-Ballkani Perëndimor, Rama kërkoi gjithashtu që Bashkimi Europian të bëjë një hap të guximshëm drejt integrimit më të madh të vendeve kandidate, duke i sjellë ato rreth tryezës, por pa ndryshuar parimin e anëtarësimit mbi bazën e meritës.
I pyetur për çështjen Balluku, kryeministri nuk u ndal në mënyrë të drejtpërdrejtë te rasti konkret, por e përdori përgjigjen për të theksuar atë që e cilësoi si luftë të paprecedentë kundër korrupsionit në Shqipëri.
“Ajo që Shqipëria po bën kundër korrupsionit është e paprecedentë në rajon dhe kjo është pikërisht arsyeja përse Shqipëria duhet të konsiderohet një vend kandidat shumë, shumë serioz”, deklaroi Rama.
Më tej, ai bëri një krahasim mes perceptimit të mëparshëm për Shqipërinë dhe situatës që, sipas tij, po zhvillohet sot në vend.
“Nëse deri jo shumë kohë më parë Shqipëria portretizohej gjithmonë si një vend ku ishte ngulitur kultura e pandëshkueshmërisë dhe ku korrupsioni ishte vetë sistemi, sot Shqipëria është një vend ku sistemi po lufton fuqishëm korrupsionin”, u shpreh kryeministri.
Rama theksoi se çdo çështje duhet të ndjekë procesin e rregullt ligjor dhe shtoi se askush nuk është mbi ligjin.
Rama kërkon një hap të guximshëm nga BE-ja
Përpara pyetjeve mbi çështjen Balluku, kryeministri kishte kërkuar që Bashkimi Europian të përfshijë të gjitha vendet kandidate rreth tryezës, si një sinjal politik për qytetarët e rajonit dhe komunitetin ndërkombëtar.
Ai nënvizoi se kjo nuk duhet të nënkuptojë ndryshimin e kritereve të anëtarësimit, pasi secili vend duhet të përparojë sipas meritës.
Samiti i 25 nëntorit në Bruksel zhvillohet me pjesëmarrjen e liderëve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor. Takimi drejtohet nga presidenti i Këshillit Europian, António Costa, dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Në fokus janë zgjerimi i BE-së, reformat dhe përparimi i vendeve të rajonit drejt anëtarësimit.
Lexo edhe
Rama me mesazh për Brukselin: Na ulni në tryezë, por mos ndryshoni kriteret e meritës
Kurti në Bruksel me një kërkesë të prerë: Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat në BE














