Advertisement

Policia e Shtetit ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit kombëtar të koduar “Operacionalja”, duke kapur shtetas me rrezikshmëri të lartë.

Gjatë operacionit “Operacionalja 89”, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale ndaluan në Tiranë Eduard Kësollën, 32 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër, i kërkuar nga Prokuroria e Shkodrës për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” (mbetur në tentativë), “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”.

Reklame

32-vjeçari dyshohet se më 16 janar 2026, në zonën e quajtur “Kryqëzimi i Vinotekës”, Shkodër, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri një 21-vjeçar.

Gjatë operacionit u arrestua gjithashtu Elvis Koçeku, 27 vjeç, banues në të njëjtin fshat, i cili drejtonte automjetin tip “Audi” me të cilin lëvizte Kësolla në zonën e Freskut, Tiranë. 27-vjeçari akuzohet për “Përkrahjen e autorit të krimit”. Automjeti u sekuestrua.

Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurorinë e Shkodrës për veprime të mëtejshme.

Policia thekson se operacioni u realizua falë administrimit të shpejtë të informacionit dhe bashkëpunimit me Prokurorinë, duke rritur efektivitetin në kapjen e shtetasve me precedent penal dhe rrezikshmëri të lartë.

Reklame