Advertisement

Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Dorjan Teliti ka ngritur shqetësimin për nivelin e lartë të korrupsionit në vend, duke u ndalur veçanërisht te sektori i ndërtimit dhe ndikimi që ai ka në ekonomi.

Duke iu referuar një ankete të fundit të Bankës Botërore, Teliti thekson se rreth 28% e bizneseve në Shqipëri deklarojnë se u është kërkuar ryshfet për të marrë leje ndërtimi, shifër që sipas tij është katër herë më e lartë se mesatarja e rajonit.

Reklame

Ai shton se disa vite më parë kjo përqindje ishte vetëm 9%, ndërsa sot është trefishuar. Sipas reagimit të tij, edhe 12% e bizneseve përballen me ryshfet në marrëdhëniet me administratën tatimore.

Teliti akuzon se në Shqipëri është krijuar një sistem ku lejet nuk jepen mbi bazën e ligjit, por përmes marrëveshjeve klienteliste, ndërsa konkurrenca nuk mbështetet te merita, por te lidhjet.

Sipas tij, ekonomia shqiptare nuk po zhvillohet realisht, por po deformohet gjithnjë e më shumë, ndërsa tregu i lirë dhe drejtësia ekonomike po dëmtohen rëndë.

Në fund të reagimit, ai ironizon deklaratat e qeverisë për reforma dhe suksese, duke pyetur nëse mund të quhet sukses fakti që “1 në 3 biznese detyrohet të paguajë ryshfet për të punuar”.

Reklame