Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka reaguar pas kallëzimit penal të bërë ndaj tij, Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë dhe drejtuesve të Thesarit në të gjithë vendin, në lidhje me bllokimin e pagesave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Malaj e ka cilësuar situatën në mënyrë ironike si një rast ku “të kallëzohesh sepse po zbaton ligjin”.
Sipas ministrit, institucionet financiare kanë refuzuar të hapin thesarin e shtetit për pagesa shtesë për gjyqtarët dhe prokurorët, në mungesë të një vendimi të Parlamentit që t’u japë bazën administrative për kryerjen e pagesave.
“Arsyeja: Kemi refuzuar të hapim dyert e thesarit të shtetit për të nxjerrë që aty pa vendim të Parlamentit një volum të konsiderueshëm parash, si shtesë rroge për gjyqtarët dhe prokurorët”, shkruan Malaj.
Ministri thotë se çështja pritet të adresohet më 17 shtator, kur sipas tij do të miratohet ligji që i jep Ministrisë së Financave bazën administrative për të vepruar.
Malaj publikon shifrat: Sa kërkojnë gjyqtarët?
Në reagimin e tij, ministri ka bërë publike edhe shifrat që, sipas tij, përfaqësojnë pagat aktuale dhe nivelin e pagave të kërkuara.
Për një gjyqtar të Shkallës së Parë, Malaj thotë se paga aktuale është 376,381 lekë, ndërsa kërkohet të shkojë në 567,421 lekë.
Për një gjyqtar të Shkallës së Dytë, paga aktuale është 388,927 lekë, ndërsa kërkesa është për 586,335 lekë.
Ndërsa për një gjyqtar të Grupit III në GJKKO, ministri deklaron se paga aktuale është 659,920 lekë, ndërsa kërkohet 994,877 lekë.
Sipas Malajt, vetëm këto kërkesa do të sillnin një efekt prej rreth 40 milionë eurosh shtesë në buxhetin e shtetit çdo vit.
“125 milionë euro për periudhën 2023-2026”
Malaj ngre edhe një tjetër pikë të debatit.
Sipas tij, magjistratët kërkojnë rishikimin e pagave për periudhën 2023-2026, kërkesë që ministri e vlerëson me një efekt prej rreth 125 milionë eurosh në buxhetin e shtetit.
Këto shifra vijnë në një moment kur përplasja mes pushtetit ekzekutiv dhe gjyqësorit për pagat është përshkallëzuar edhe në planin penal.
Gjyqtarët kanë argumentuar se bllokimi i pagave dhe moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese cenojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe kanë paralajmëruar edhe masa të mëtejshme nëse situata nuk zgjidhet.
Malaj: Mos u intimidoni
Në fund të reagimit, ministri i është drejtuar drejtuesve të Thesarit dhe Sekretarit të Përgjithshëm, të cilët janë kallëzuar bashkë me të.
Malaj u kërkon atyre të vijojnë punën dhe të mos ndihen të intimiduar nga kallëzimi penal.
“Duhet të vazhdojnë ta kryejnë detyrën e tyre me qetësi dhe pa u intimiduar, duke ruajtur gjithmonë me rigorozitet financat e shtetit, të udhëhequr nga ligji”, shkruan ministri.
Përplasja tashmë pritet të marrë një tjetër zhvillim më 17 shtator, kur pritet të shqyrtohet në Parlament kuadri ligjor për adresimin e çështjes së pagave të magjistratëve.
Lexo edhe:
Ngërçi me pagat, 20 gjyqtarë kallëzojnë në SPAK ministrin Petrit Malaj
Pagat e gjyqtarëve, ultimatumi i fortë: “Nëse nuk zhbllokohen, do kufizojmë veprimtarinë gjyqësore”













