Administrata Tatimore ka ndërmarrë një aksion për sekuestrimin e aseteve të një tatimpaguesi në Tiranë, i cili rezulton me detyrime të papaguara në vlerën e 6.4 milionë eurove.
Sipas njoftimit zyrtar, strukturat e specializuara të Tatimeve kanë sekuestruar 8 automjete luksoze, mes të cilave marka të njohura si McLaren, Mercedes-Benz dhe BMW, si pjesë e masave shtrënguese për mbledhjen e detyrimeve tatimore.
Megjithëse Administrata Tatimore nuk e bëri publik identitetin e tatimpaguesit, mësohet se automjetet e sekuestruara janë në pronësi të biznesmenit Irfan Hysenbelliu dhe djalit të tij, Fatmir Hysenbelliu.
Në reagimin zyrtar, Administrata Tatimore thekson se masat ndaj debitorëve do të vijojnë pa përjashtim, duke kaluar nga bllokimi i llogarive bankare deri te sekuestrimi i pasurive, deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve.
“Administrata Tatimore rikujton se masat shtrënguese do të vijojnë ndaj të gjithë tatimpaguesve që nuk përmbushin detyrimet ligjore, përfshirë subjektet e referuara në Prokurori dhe ata që krijojnë detyrime të reja tatimore pas datës 31.12.2024, të cilat nuk përfitojnë nga ligji për fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore”, thuhet në njoftim.
Sipas Tatimeve, rasti në fjalë është një nga më të mëdhenjtë e muajve të fundit sa i përket detyrimeve të papaguara, ndërsa institucionet paralajmërojnë se kontrollet dhe masat e sekuestrimit do të vijojnë ndaj çdo subjekti që shmang pagesën e taksave.
Sekuestrimi i automjeteve luksoze vjen në kuadër të fushatës së administratës për mbledhjen e detyrimeve të prapambetura dhe forcimin e disiplinës fiskale.















