Komunikimet e siguruara nga platforma e koduar SKY ECC kanë nxjerrë në dritë detaje të reja mbi aktivitetin e një rrjeti të dyshuar kriminal të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe mënyrën se si menaxhoheshin fitimet e mëdha të siguruara nga ky aktivitet.
Sipas hetimeve të SPAK, në bisedat e zhvilluara në gusht të vitit 2020 mes Isa Aliu dhe vëllait të tij Shpëtim Aliu, përmenden shuma marramendëse parash të përfituara nga trafiku i drogës.
Në një prej komunikimeve, Isa Aliu shprehet se kishte në dispozicion rreth 6 milionë euro cash, ndërsa pak ditë më vonë Shpëtim Aliu i komunikon se priteshin edhe 20 milionë euro të tjera, duke diskutuar njëkohësisht mënyrat për fshehjen e këtyre shumave.
Paratë groposeshin në fuçi plastike
Sipas dosjes hetimore, një nga metodat e përdorura për fshehjen e parave ishte groposja e tyre në tokë, të futura në fuçi plastike me kapacitet 50 litra.
Hetuesit dyshojnë se kjo skemë është përdorur për të shmangur gjurmimin e parave dhe për të fshehur origjinën e tyre të dyshuar kriminale.
SPAK: Të paktën 30 milionë euro kaluan te Isa Aliu
Nga verifikimet e deritanishme, Prokuroria e Posaçme dyshon se Isa Aliu ka marrë të paktën 30 milionë euro nga vëllai i tij, para që më pas dyshohet se janë investuar kryesisht në sektorin e ndërtimit dhe aktivitete të tjera ekonomike.
Zbulimet janë pjesë e hetimit të gjerë që çoi në goditjen e grupit të dyshuar kriminal, i cili akuzohet për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.
Vijojnë hetimet për pasuritë
SPAK po vijon verifikimet për identifikimin e pasurive, kompanive dhe investimeve që dyshohet se janë financuar me të ardhura të krijuara nga trafiku i narkotikëve.
Hetimet synojnë të dokumentojnë rrugën e parave dhe të përcaktojnë nëse fondet e dyshuara kriminale janë përdorur për investime në pasuri të paluajtshme dhe projekte ndërtimi në Shqipëri.














