Finalizohet operacioni policor i koduar “Kurtaj”, duke zbuluar një rast të rëndë të kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura.
Në fshatin Kurtaj, Peqin, policia zbuloi 2 ambiente të përshtatura me llamba dhe pajisje elektrike, ku kultivoheshin rreth 4000 bimë kanabisi.
Sipas hetimeve, godina rezulton në pronësi të drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, i cili është shpallur në kërkim.
Në kërkim është shpallur edhe përgjegjësi i OSHEE-së për Peqinin Ervis Maci, për veprën penale “shpërdorim detyre”.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Krimet në Volum, në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe Policinë e Peqinit, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan.
U sekuestruan bimët narkotike, llamba, neonë dhe pajisje të tjera, që përdoreshin për kultivimin në kushte të kontrolluara.
Policia vijon punën për kapjen e personave në kërkim dhe për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.













