Advertisement

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar mëngjesin e sotëm se siguria e qytetarëve shqiptarë që ndodhen në rajonin e Lindjes së Mesme mbetet prioritet kryesor për qeverinë shqiptare, në një kohë kur zona është përfshirë nga tensione dhe konflikte të përshkallëzuara gjatë ditëve të fundit.

Gjatë fjalës në podkastin e tij Flasim, Rama u ndal te situata e sigurisë në rajon, duke theksuar se agresioni i Iranit ndaj vendeve të Gjirit Persik duhet të marrë fund. Sipas tij, ofensiva e ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në aleancë me Izraeli është një përpjekje për të ndaluar mundësinë që regjimi iranian të zhvillojë armë bërthamore.

Reklame

Rama theksoi se Shqipëria ka marrëdhënie të mira si me Izraelin, ashtu edhe me vendet e Gjirit Persik, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Kuvajtin dhe Bahreinin, të cilat sipas tij kanë qenë në shënjestër të sulmeve nga Teherani.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se përfaqësitë diplomatike dhe konsullore shqiptare në rajon janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendase për të monitoruar situatën dhe për të garantuar sigurinë e shtetasve shqiptarë që ndodhen atje. Ai shtoi se një nga sfidat kryesore mbetet edhe çështja e fluturimeve, e cila po ndikon në lëvizjen e qytetarëve në zonë.

Rama komentoi edhe lajmet që kanë qarkulluar për një sulm të mundshëm të Iranit ndaj Shqipërisë, duke i cilësuar ato si spekulime dhe dezinformim. Ai theksoi se NATO garanton sigurinë e vendeve anëtare, duke sjellë si shembull neutralizimin e një rakete që synonte Turqinë.

Sipas tij, lajme të tilla për sulme ndaj Shqipërisë përhapen nga individë që, siç u shpreh kryeministri, ushqejnë shpresën e kotë për rrëzimin e qeverisë së tij.

Në të njëjtën kohë, Rama foli edhe për pjesëmarrjen e Shqipërisë në panairin më të madh ndërkombëtar të turizmit në botë, ITB Berlin, ku vendi ynë u prezantua si një destinacion autentik mesdhetar me konceptin “Albania All Senses”. Sipas tij, Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në industrinë globale të turizmit falë natyrës, historisë dhe trashëgimisë kulturore.

Reklame