Advertisement

Katër turistë polakë janë shpëtuar pas një operacioni të vështirë kërkim-shpëtimi që zgjati rreth 8 orë në Kanionet e Gjipesë, në një terren tepër të thepisur dhe me rrezik për jetën.

Sipas Policisë, ngjarja ndodhi mesditën e së dielës, kur gjatë eksplorimit të zonës, katër turistët ranë në një greminë, duke bërë që njëri prej tyre të pësonte dëmtime.

Reklame

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë së Himarës nisën operacionin për lokalizimin dhe evakuimin e turistëve, ndërsa për shkak të terrenit të vështirë u kërkua edhe mbështetje shtesë nga strukturat e tjera të emergjencës.

Në operacion morën pjesë shërbimet e DELTA Forcës, Policia e Himarës, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, zjarrfikës, alpinistë të zonave të mbrojtura, ekip mjekësor si dhe një helikopter i Forcave të Armatosura.

Megjithatë, për shkak të kushteve të vështira të terrenit, helikopteri nuk mundi të afrohej në vendin ku ndodheshin turistët, duke bërë që operacioni të vijonte vetëm nga ekipet në terren.

Pas kërkimeve intensive dhe punës së koordinuar të të gjitha strukturave, turistët u evakuuan dy nga dy, ndërsa operacioni përfundoi me sukses rreth mesnatës.

Turisti i dëmtuar mori menjëherë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Tre turistët e tjerë u evakuuan në gjendje të mirë shëndetësore.

Pas përfundimit të operacionit, katër turistët polakë falënderuan efektivët e Policisë, zjarrfikësit, alpinistët dhe të gjitha strukturat e përfshira për reagimin e shpejtë dhe angazhimin në shpëtimin e tyre.

Kanionet e Gjipesë konsiderohen një nga destinacionet më tërheqëse natyrore në jug të vendit, por autoritetet u bëjnë thirrje vizitorëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë eksplorimit të zonave të thepisura dhe të ndjekin vetëm itineraret e sigurta.

Reklame