Një efektiv i forcave speciale “Shqiponja” ka mbetur i plagosur gjatë një operacioni për kapjen e një personi të shpallur në kërkim në qytetin e Dibrës.
Sipas burimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur në momentin kur forcat e Policia e Shtetit kanë ndërhyrë në një banesë trekatëshe për të arrestuar të dyshuarin.
Gjatë operacionit, efektivi i “Shqiponjave”, Gentjan Meda, 40 vjeç, dyshohet se ka rënë nga një lartësi. Megjithatë, nuk përjashtohet as pista që ai mund të jetë plagosur me armë zjarri, pasi nga zona janë raportuar edhe krisma.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se rrethanat mbeten ende të paqarta dhe do të sqarohen nga hetimet zyrtare. Fillimisht, i plagosuri ka marrë ndihmën e parë në spitalin e Peshkopisë dhe më pas është transportuar me helikopter drejt Tiranës për trajtim më të specializuar mjekësor.
Grupi hetimor dhe strukturat e policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të këtij incidenti të rëndë.














