Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e situatës së zjarreve në vend në orën 20:00 të 14 gushtit 2026, duke raportuar 13 vatra zjarri në ndjekje.

Sipas informacionit zyrtar, 10 vatra mbeten aktive, 2 janë nën kontroll dhe 1 është shuar plotësisht.

Reklame

Pavarësisht terrenit të vështirë dhe kushteve të pafavorshme në disa zona, strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë ndërhyrjen nga toka dhe ajri.

Lurë, Dibër – 200 forca në terren

Një nga situatat më të rëndësishme vijon në Lurë të Dibrës, ku operacioni po zhvillohet me 200 forca bashkiake, 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 efektivë të Policisë së Shtetit dhe 18 vullnetarë.

Në terren janë angazhuar gjithashtu dy automjete zjarrfikëse dhe dy avionë Air Tractor.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ndërhyrja ka bërë të mundur kontrollin e zjarrit në segmentin pranë banesave dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Aktive mbetet edhe vatra në Qafë Helmes, Bulqizë-Selishtë, ku forcat operacionale kanë arritur të vendosin nën kontroll një pjesë të saj.

Tiranë – vijon ndërhyrja në Dajt, Priskë dhe Farkë

Në Malin e Dajtit vijon puna me 9 forca të Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura.

Ndërkohë, në Priskë dhe Farkë janë angazhuar 30 forca të MZSH-së me 6 mjete.

Sipas autoriteteve, situata në Priskë-Farkë paraqitet nën kontroll dhe pa rrezik për zonat e banuara.

Krujë – ndërhyrje nga toka dhe ajri

Në Krujë, ndërhyrjet nga toka dhe ajri kanë vijuar në vatrat e Abazes dhe Zidollit.

Gjatë ditës është përdorur edhe mbështetja ajrore e Forcave të Armatosura. Në Zidoll, pas ndërhyrjes së një helikopteri, situata është normalizuar dhe vijon puna për izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit.

Reshjet ndihmojnë në disa zona

Në Gjirokastër, Lezhë, Elbasan dhe Shkodër vijon puna dhe monitorimi i vatrave të mbetura.

Në Përmet dhe Qukës, reshjet e shiut po ndihmojnë në normalizimin e situatës.

Ndërkohë, vatra në Paulesh të Peqinit është shuar plotësisht.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se në të gjitha zonat e raportuara nuk evidentohen rreziqe për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në koordinim me strukturat qendrore dhe vendore të Mbrojtjes Civile, vijon monitorimin dhe koordinimin e kapaciteteve operacionale, me prioritet mbrojtjen e jetës dhe banesave, si dhe izolimin sa më të shpejtë të vatrave aktive.

Lexo edhe:

“90% janë të vëna nga dora e njeriut”, kreu i Emergjencave Civile tregon si paraqitet situata me zjarret

Zjarret ‘apokaliptike’ përfshijnë Kroacinë në kulmin e sezonit turistik, 1 i vdekur e dhjetëra të plagosur

Reklame