Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim katër shtetas të dyshuar për “pastrim të produkteve të veprës penale”, me pasoja të rënda.
Të pandehurit janë identifikuar si Arsuel Curaj, Alma Guraj, Gëzim Guraj dhe Vladimir Jacaj, të cilët akuzohen për veprime të kryera në bashkëpunim përmes kontratave fiktive dhe transaksioneve bankare të simuluara.
Sipas dosjes hetimore të procedimit penal nr. 1280 të vitit 2021, ata kanë kryer shkëmbime pronash, dhurime dhe shitje të rreme, me qëllim legalizimin e një shume prej rreth 500 mijë eurosh.
Prokuroria bën me dije se kjo shumë është sekuestruar gjatë hetimeve dhe dyshohet se ka origjinë kriminale.
Çështja tashmë i ka kaluar gjykatës, e cila do të shqyrtojë përgjegjësinë penale të të akuzuarve për veprën “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, sipas nenit 287/3 të Kodit Penal.















