Vëllezërit Kristi Bushgjokaj, Fation Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj janë futur në izolim për një periudhë tre mujore pas incidentit të ndodhur më 15 qershor në ambientet e GJKKO.
Gjatë seancës së zhvilluar këtë të premte, tre vëllezërit pretenduan se ishin provokuar nga Petrit Çakraj, duke argumentuar se kjo kishte sjellë përplasjen fizike në sallën e gjyqit.
Ata i kërkuan ndjesë gjykatës dhe prokurorisë për incidentin, ndërsa paraqitën edhe një kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë. Kërkesa u rrëzua nga gjykata, e cila vendosi gjithashtu masën disiplinore të izolimit për tre muaj.
Përplasja e dhunshme ndodhi gjatë një seance gjyqësore, kur Kristi Bushgjokaj u ngrit në këmbë brenda kafazit të qelqtë dhe, pasi kërkoi fjalën nga gjykata, iu drejtua Petrit Çakrajt duke e goditur me grushte. Menjëherë pas tij ndërhynë edhe dy vëllezërit e tjerë, Fation dhe Aleksandër Bushgjokaj, të cilët sulmuan njëkohësisht Çakrajn.
Situata u vu nën kontroll vetëm pas ndërhyrjes së efektivëve të Policisë së Burgjeve, të cilët neutralizuan të përfshirët në konflikt.
Sipas informacioneve nga procesi gjyqësor, tensionet mes palëve janë përshkallëzuar pasi Petrit Çakraj ka implikuar vëllezërit Bushgjokaj në vrasjen e Renis Dobra, ndërsa ka mohuar përgjegjësinë e tij për ngjarjen. Ky qëndrim dyshohet se ka nxitur reagimin e dhunshëm brenda sallës së gjyqit.














