Një grabitje e ndodhur në një taksi në aksin Tiranë-Elbasan ka çuar në zbulimin e asaj që policia dyshon se është veprimtaria e një grabitësi serial, i cili prej javësh kishte kryer vjedhje dhe grabitje në disa zona të vendit.
Në pranga ka rënë Trazhgim Maçi, i arrestuar fillimisht si autor i dyshuar i grabitjes së një taksisti. Sipas hetimeve, ai kishte hipur si pasagjer në automjet dhe më pas kishte kanosur drejtuesin me një mjet prerës, duke i marrë para dhe një varëse floriri.
Pas arrestimit, hetuesit kanë arritur të dokumentojnë përfshirjen e 27-vjeçarit edhe në pesë ngjarje të tjera kriminale të regjistruara gjatë muajit qershor në Tiranë, Krujë dhe Durrës.
Sipas policisë, më 5 qershor ai dyshohet se ka vjedhur para nga portofoli i një qytetari në tregun e Fushë-Krujës. Më 10 qershor, ai akuzohet se ka hyrë në një biznes në Tiranë dhe, nën kërcënimin e një mjeti prerës, ka marrë para dhe një varëse floriri.
Një tjetër episod është regjistruar më 12 qershor në kryeqytet, ku Maçi dyshohet se ka kërcënuar pronarin e një subjekti me një send të ngjashëm me armë zjarri, duke i marrë një varëse floriri dhe duke e goditur me grusht.
Hetimet e lidhin gjithashtu me grabitjen e një taksisti në Fushë-Krujë më 15 qershor, ku dyshohet se janë marrë para, dy telefona celularë dhe një orë dore. Një tjetër rast i ngjashëm është regjistruar në Shënavlash të Durrësit, ku viktimë ka qenë sërish një drejtues taksie.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të verifikuar nëse 27-vjeçari ka lidhje edhe me ngjarje të tjera kriminale të ngjashme të ndodhura gjatë muajve të fundit.














