Situata e rënduar nga rrëshqitjet e dheut në zonën e Dragostunjës ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa fshatra të bashkisë së Librazhdit.
Sipas burimeve zyrtare, një shtyllë e tensionit të lartë do të çmontohet nga OST (Operatori i Sistemit të Transmetimit), për shkak të rrezikut që paraqesin shembjet masive të dheut. Furnizimi me energji elektrike do të mungojë deri në orën 17:00.
Zonat e prekura nga ndërprerja janë: Babje, Buzgar, Drapata, Dragostunjë, Ferrë, Frarë, Hotolisht, Gurëkuqe dhe HEC-i Xhyrë.
Ndërkohë, situata në aksin rrugor është përkeqësuar ndjeshëm gjatë ditës së sotme. Rruga dytësore, e hapur për kalim provizor të mjeteve, ka pësuar fundosje dhe rrëshqitje shkatërrimtare të një sipërfaqeje të madhe toke, duke e bërë segmentin strategjik të pakalueshëm për një kohë të gjatë.
Lëvizja masive e dheut ka dëmtuar punimet e kryera ditët e fundit, ndërsa autoritetet kanë ndaluar edhe qarkullimin e këmbësorëve dhe kanë vendosur sinjalistikë paralajmëruese për rrezikun që paraqet zona.
Situata mbetet dinamike, ndërsa priten masa të mëtejshme për stabilizimin e terrenit dhe rikthimin e energjisë elektrike në zonat e prekura.














